Qytetarët grekë i janë përgjigjur thirrjes së sindikatave për tubim proteste,
sot paradite në sheshin “Sintagma, në kuadër të grevës 24 orëshe që po zhvillohet sot në Greqi, kundër negociatave që po zhvillohen mes qeverisë dhe Trojkës.
Mijëra njerëz protestuan kundër masave shtrënguese në një tubim ku pati edhe incidente.
Përleshje mes policisë dhe protestuesve pati, kur këta të fundit u përpoqën t'i drejtohen parlamentit, por forcat e policisë i penguan duke përdorur lëndë kimike kundër tyre.
Protestuesit dogjën flamuj gjermanë, hodhën parulla kundër kryeministrit dhe shishe "molotov" ndaj policisë, duke e tensionuar situatën.
"Këto nuk janë negociata. Ajo cfarë po bën Trojka është një vdekje e paralajmëruar. Kjo është brutale, shantazh cinik kundër një populli të tërë", thanë përfaqësues të sindikatave.
Kjo protestë u zhvillua në kuadër të grevës 24 orëshe që organizuan sindikatat e sektorit publik dhe privat, në përgjigje të negociatave mes qeverisë dhe trojkës.
Në grevë u përfshinë, nëpunësit shtetërorë, punonjësit nëpër bashki, mësuesit dhe pedagogët, punonjësit e Telekomunikacioneve OTE, inxhinierët, punonjësit e bankave, punëtorët e kantierit detar, zyrtarët gjyqësorë, ndërsa spitalet punuan me personel të kufizuar.
Edhe sektori privat, nëpërmjet konfederatës së tregtisë, bëri të ditur se do të marrë pjesë në grevë, sepse "ndihet si humbës nga dialogu me qeverinë" dhe "do të luftojnë për të garantuar bizneset dhe nivelin e jetesës të popullit grek".
marrë nga ballkanweb.com


