Të mos lejojmë të humbasë gjuhën amëtare brezi i ri i shqiptarëve

Αξιολόγηση Χρήστη: / 4
ΧείριστοΆριστο 
Këshilli Pedagogjik i mësuesve emigrantë në Greqi, nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë shqiptare, shtron disa shqetësime lidhur me mësimin e gjuhës për fëmijtë tanë, si dhe disa mendime për zgjidhjen e këtyre problemeve.

I gjithë teksti i letrës vijon më poshtë:



Lënda: Mbi zhvillimet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi dhe probleme

Kryeministrit, z. Sali Berisha, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z.Genc Pollo, Ministrit të jashtëm, z. Lulzim Basha, Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi, z. Vili Minarolli



Të nderuar zotërinj,

Këshilli pedagogjik i mësuesve emigrantë në Greqi, duke përfunduar seminarin e parë kualifikues doli me disa konkluzione për mundësitë që ka mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Greqi. U vlerësua puna këmbëngulëse e mësuesve, niveli i tyre shkencor, metodik dhe pedagogjik, ndihma e shoqatave të emigrantëve shqiptarë dhe patjetër MBËSHTETJA MORALE apo ME TEKSTE FILLESTARË që i keni dhënë ju dhe institucionet tuaja grupit të mësuesve niciatorë.

Gjatë seminarit u arrit të zbërtheheshin disa elementë të programeve, të shkëmbehej përvojë organizative, të përfitohej nga metodat dhe njohuritë pedagogjike të njeri-tjetrit, të përcilleshin edhe disa probleme nëpërmjet përfaqësuesit të Ambasadës, z. Niko Kacalidha. Mësuesja Flutura Tafilaku dha një orë mësimi për të konkretizuar mundësitë praktike të dhënies së mësimit me fëmijë të moshave të ndryshme.

SEMINARI I PARË, më 16 mars 2008, në Athinë, u zhvillua me praninë e mësuesve nga Athina, Selaniku, Volosi, Larisa, Korinthi etj, të mësuesve veteranë dhe të disa prindërve të fëmijëve që vijojnë mësimet e gjuhës shqipe.

Rruga deri te ky seminar, që është ngjarje e veçantë në ecurinë e deri sotme të veprimtarisë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, ka qenë mjaft e vështirë

• Prej 7 Marsit 1998, grupi i mësuesve emigrantë i përbërë nga Jovan Mëhilli, Natasha Ashiku, Bukurie Kodra, Evanthi Loli, dhe Thanas Mica, duke parë se, jo vetëm që fëmijët shqiptarë po humbisnin gjuhën, por një numër i konsiderueshëm prej tyre përdoreshin nga persona të pandershëm për të lypur e vjedhur nëpër rrugët e Athinës, me angazhimin e rreth 150 mësuesve u arrit reduktimi deri në eliminim i kësaj dukurie të shëmtuar. Për herë të parë u bashkëpunua edhe me institucionet arsimore në shqipëri.

• Më 7 Mars 2001, në Selanik u mundësua hapja e kursit të parë për mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët e emigrantëve nga mësueset Mimoza Dako, Valbona Hystina, Dhimitra Malo, Dashamir Zaçe. Dhe në të njëjtën datë, në Athinë promovohej libri-metodë Gjuha shqipe në familje, i hartuar nga mësuesi Novruz Abilekaj posaçërisht për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi ).Ndërkohë, zhvilloheshin mësime me grupe fëmijësh në oborret e shtëpive emigrante në shumë pika të Athinës. Më vonë filluan mësimet me grupe fëmijësh në Volos, Larisa, Korintho, Kretë e gjetkë.

• Më 23-27 Korrik 2007, një grup mësuesish morën pjesë në seminarin e tretë të zhvilluar në Durrës me mësuesit e diasporës shqiptare. Tema e seminarit ishte: Hapsira të reja për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. E kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë ftesën që na bëri MASH dhe mbështetjen e Ambasadorit z. Vili Minarolli.

• Një ditë para seminarit, më 22 korrik 2007, mësuesit e ardhur nga Greqia u bënë firmëtarët e parë për krijimin e Këshillit pedagogjik të mësuesve emigrantë në Greqi. Ky akt u përshëndet nga tërë pjesëmarrësit dhe u vlerësua si ngjarje e veçantë në historinë e emigracionit.

• Aktualisht është bërë e mundur hapja e mbi 30 klasave në të gjithë Greqinë. Mësuesit, në përgjithësi, janë me arsim të lartë të ciklit të ulët ose të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ka edhe shumë mësues të tjerë që synojnë hapjen e grupeve por kanë vështirësi në gjetjen e mjediseve të përshtatshme, problem serioz ky në të gjitha rastet.



Detyrat tona:

1. Nxitja e hapjes së klasave të reja dhe zgjerimi i këshillit pedagogjik me mësues nga të gjitha zonat e Greqisë. Do të preferohen, si edhe deri tani, mësuesit me arsim të lartë për Ciklin e ulët dhe të profilit Gjuhë-letërsi shqipe

2. Të evidentohet numri i fëmijëve shqiptarë për çdo shkollë të sistemit arsimor vendas, të bëhet marrëveshje me prindërit dhe të kërkohet që të kryhet mësimi në mjediset e shkollave në përputhje me marrëveshjen e dy ministrive , marrëveshje e cila ka mbetur në sirtar.

3. Të bëjmë sa të jetë e mundur më shumë për të bindur prindërit emigrantë shqiptarë se është i domosdoshëm mësimi i gjuhës shqipe dhe e vlenë edhe mbështetja financiare nga familja në kompesim të punës që bën dhe të kohës që vë në dispozicion mësuesi.

4. Të synohet për mësues me figurë të besueshme dhe të kërkohet dokumentacion i saktë mbi frekuentimin, cilësinë e përvetësimit dhe nivelin e përvetësimit të gjuhës nga nxënësit.

5. Të përmirësohet bashkëpunimi i Këshillit pedagogjik me institucionet e specializuara të të dy qeverive dhe me organizmat shoqërore që janë të interesuar për arsimimin e fëmijëve në gjuhën amtare.

6. Secili mësues (në mungesë të programeve të miratuara) të zhvillojë me niciativë disa orë (ose me ndërhyrje nëpër orët e zakonshme) për të dhënë njohuri rreth Kosovës si shtet i ri shqiptar.

7. Seminari i dytë të bëhet në Selanik para fillimit të vitit shkollor 2008-2009.



Kërkesa

Për të mos mbetur në nivelin e vullnetarizmit dhe punës amatore, mendojmë se është e nevojshme të merren parasysh disa kërkesa:

1. Nevojitet një plan strategjik për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në emigracion dhe këtë plan mund ta hartojë e ta ndjekë me profesionalizëm e përgjegjësi së pari Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë DUKE SHQYRTUAR MBËSHTETJEN FINANCIARE.

2. Sigurimi i mjedisit për funksionimin e Këshilit pedagogjik dhe të strukturave të përvojës metodike apo organizative. Patjetër që kjo ka një losto financiare por ne e çmojmë të përballueshme lehtësisht nga shteti shqiptar, në se ekziston synimi i qartë.

3. MASH të marë më tepër përgjegjësi për furnizimin me tekste dhe bazën materiale më të domosdoshme (fletore pune etj) për të lehtësuar punën e mësuesve nëemigracion. Theksohet këtu se është e nevojshme të kapërcehet koncepti i mësimit të gjuhës shqipe në nivelin e abetares dhe është koha të hartohen tekste të përshtashme (abetare e përshpejtuar, lexime, gramatikë, pak histori e gjeografi, antologji, folklor).

4. Kërkojmë nga qeveria shqiptare të bëjë të gjitha përpjekjet për të konkretizuar mundësinë e dhënies së mësimit plotësues të gjuhës shqipe brenda mjediseve të shkollave greke sepse deri tani kjo ka mbetur në letër dhe nuk përfillet nga drejtuesit e shkollave. Kjo marrëveshje do ta rriste me shpejtësi numrin e fëmijëve shqiptarë në kurset e mësimit të gjuhës shqipe që sot është 560, ndërsa fëmijët janë dhjetëra mijëra. E ndoshta qindra mijëra. Duhet ta ndalojmë sot humbjen e gjuhës amtare me të gjitha mundësitë që disponojmë se koha që ikën është e humbur dhe shumë fëmijë do mbeten larg nga gjuha shqipe.

5. Më tej kërkojmë që koha e punës (orë, ditë, vite) t’i pasqyrohen mësuesit në vjetërsi pune për efekt pensioni.

Besojmë se mendimet tona do të vlerësohen si të drejta dhe modeste. Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare duke e vendosur këtë çështje ndër të parat, ndonëse Shqipëria ka mjaft probleme të tjera në rrugën e zgjidhjes . NE PRESIM PËRGJIGJEN TUAJ NËPËRMJET AMBASADËS

Së fundi, një thirrje nga fëmijët

U lutemi pushtetarëve dhe politikanëve të mos na lënë vetëm në këtë ndërmarrje të vështirë. Në se humbet gjuha shqipe në brezat e emigrantëve do të jetë humbje e madhe kombëtare.

Me respekt,

Për Këshillin pedagogjik

Drejtuesi: Jovan Mëhilli

E Premte, 04 Prill 2008
Të mos lejojmë të humbasë gjuhën amëtare brezi i ri i shqiptarëve