Testamenti: Jini të çmendur dhe ndiqni zemrën, kështu do të realizoni ëndrrat

Αξιολόγηση Χρήστη: / 0
ΧείριστοΆριστο 

Në fjalimin e famshëm në Universitetin e Standford-it, Jobs foli për fillimet, për suksesin dhe sëmundjen. “Duhet të jeni persona të etur për aventura . Unë këtë gjë e kam uruar gjithmonë për veten”
Jam i nderuar që jam këtu me ju sot, në ditën e diplomimit tuaj në një nga universitetet më të mira në botë. Unë nuk jam diplomuar kurrë. Por, për hir të së vërtetës, kjo është gjëja më afër diplomimit që më ka ndodhur ndonjëherë. Sot dua t’ju tregoj tri histori të jetës sime. Vetëm kaq, asgjë të jashtëzakonshme: vetëm tri histori. E kam braktisur “Reed College”, pas semestrit të parë, pastaj vazhdova ta ndiqja në mënyrë zyrtare edhe për 18 muaj të tjerë përpara se ta lija me të vërtetë. Nuk e kisha idenë e asaj që doja të bëja me jetën time dhe nuk e kuptoja se si universiteti do të më ndihmonte ta kuptoja. Por isha aty, duke harxhuar të gjitha paratë që prindërit e mi kishin vendosur mënjanë duke punuar gjithë jetën. Kështu vendosa ta braktisja dhe të kisha besim se gjithsesi pas kësaj gjërat do të shkonin mirë. Në atë kohë ishte shumë e vështirë, por duke kthyer kokën pas mendoj se ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë. “Reed College” në atë kohë ofronte formimin më të mirë në vend të lidhur me kaligrafinë. Në të gjithë kampusin, çdo poster, çdo etiketë, çdo lajmërim ishte i shkruar me dorë me një kaligrafi të mrekullueshme. Duke qenë se kisha braktisur leksionet zyrtare, vendosa që të ndiqja ato të kaligrafisë për të mësuar të shkruaja kështu. Pikërisht aty mësova për karakteret dhe diferencat mes hapësirave që ndajnë kombinimet e ndryshme të shkronjave. Ishte e mrekullueshme. Mësova gjëra që shkenca në atë kohë nuk ishte në gjendje t’i shpjegonte, por ishte e bukur, artistike e më tërhoqën vërtet shumë. Në fillim mendoja se këto gjëra nuk do të kishin vlerë për t’i përdorur më pas në jetën time. Por vetëm dhjetë vjet më vonë, kur projektuam “Macintosh”-in (Mac) e parë gjithçka më shërbyen. Mësimet e kaligrafisë i përdorëm për të programuar “Mac”, i cili ka qenë i pari kompjuter i pajisur me kapacitete tipografike të evoluuara. Nëse nuk do të kisha lënë shkollën dhe nëse nuk do të isha futur në atë kurs, “Mac” nuk do të kishte pasur kurrë mundësi për të administruar karaktere të ndryshme në mënyrë proporcionale. Ndoshta “Windows” ka kopjuar “Mac” dhe kishte mundësi që të mos kishte asnjë kompjuter personal me ato aftësi. Duhet të besoni në diçka: në fatin tuaj, te jeta, te karma, te gjithçka. Ky lloj afrimi ka bërë gjithmonë diferencën në jetë.Unë kam qenë me fat: e zbulova shumë shpejt se çfarë dua të bëj në jetë. Woz dhe unë themeluam “Apple” në garazhin e shtëpisë së prindërve të mi kur sapo kisha mbushur 20 vjeç. Punuam fort dhe në dhjetë vjet “Apple” u rrit nga një kompani me ne të dy dhe një garazh, në një kompani 2 miliardë dollarëshe dhe 4 mijë punëtorë. Në vitin 1984, sapo kisha mbushur 30 vjeç dhe vetëm pak muaj pasi kishim realizuar krijimin tonë më të mirë "Macintosh" më larguan nga puna. Si mund të të largojnë nga ndërmarrja që ti vetë ke krijuar! Megjithatë, kur “Apple” ishte "rritur" si kompani kishim marrë dikë që unë e cilësoja se kishte talentin dhe aftësitë e nevojshme për të drejtuar shoqërinë së bashku me mua dhe vitin e parë gjërat shkuan shumë mirë. Por më vonë vizionet tona për të ardhmen filluan të ndaheshin dhe në fund patëm një përplasje. Kur ndodhi kjo bordi i drejtorëve mbajti anën e tij. Kështu që në moshën 30-vjeçare unë ngela jashtë asaj që kisha krijuar vetë. Ai që kishte qenë qëllimi kryesor në jetën time kishte mbaruar dhe unë isha tërësisht i dëshpëruar. Por edhe pse isha refuzuar, gjithmonë ngela i dashuruar me të. Për këtë arsye vendosa ta nis nga fillimi. Atëherë nuk e kuptova, por fakti që më larguan nga “Apple” ishte gjëja më e mirë që mund të më ndodhte në jetë. Pesha e suksesit ishte zëvendësuar nga lehtësia e të qenët sërish një debutues. Kjo bëri që unë të nisja një nga periudhat më të rëndësishme e më kreative të jetës sime. Pesë vjet më vonë themelova një kompani të quajtur “NeXT”, pastaj një tjetër të quajtur “Pixar”, dhe u dashurova me një grua të mrekullueshme që më vonë do të bëhej gruaja ime. “Pixar” tregoi se ishte në gjendje të realizonte filmin e parë të animuar dixhital “Toy Story”, ndërsa tani është studioja e animimit më e suksesshme në botë. Kështu, ngjarjet rrodhën njëra pas tjetrës, kur “Apple” vendosi që të blinte “NeXT” unë u ktheva sërish tek “Apple” dhe teknologjia e zhvilluar nga “NeXT” është në zemër të rilindjes të “Apple”. Ndonjëherë jeta të godet si një tullë në kokë. Por mos e humbisni besimin. Jam i bindur se e vetmja gjë që më ka mbajtur për të mos braktisur gjithçka ka qenë dashuria për atë që bëja. Duhet të gjeni atë që doni. Dhe kjo vlen si për punën tuaj ashtu edhe për ndjenjat tuaja. Historia ime e tretë ka lidhje me vdekjen. Kur isha 17 vjeç lexova një frazë që ishte pak a shumë kështu: “Nëse do të jetosh çdo ditë sikur të ishte dita e fundit e jetës, një ditë me siguri do të kesh të drejtë”. Më hyri shumë në zemër e që atëherë dhe në 33 vitet e fundit çdo mëngjes, pasi shihem në pasqyrë, pyes veten: “Nëse do të ishte sot dita e fundit e jetës sime do të doja të bëja atë që kam për të bërë sot?” Dhe përgjigjja për shumë ditë me radhë është jo duke më bërë të kuptoj se çdo ditë më duhet të ndryshoj diçka. Duke kujtuar se nuk jemi të pavdekshëm është mënyra më e mirë që unë njoh për të evituar rënien në kurthin e atyre që mendojnë se kemi gjithmonë diçka për të humbur. Ju them me dashamirësi, nuk ka arsye për të mos ndjekur zemrën. Pak a shumë një vit më parë më thanë se kisha kancer. Bëra analizat e nevojshme dhe një ditë, që në orën 07.30 të mëngjesit (si mund ta harroj), mjekët më thanë se bëhej fjalë për një tumor në pankreasin tim. Më thanë gjithashtu se bëhej fjalë për një lloj kanceri të pashërueshëm dhe se do të vdisja brenda 3 ose maksimumi 6 muajsh. Kështu që mendova se do të ishte më mirë që të përgatitesha. Kjo do të thotë të përgatitesh për t’u thënë atyre që doni më shumë lamtumirë. Bëra një ndërhyrje kirurgjikale dhe tani për fat jam mirë. Kjo ka qenë edhe hera kur isha më afër vdekjes dhe shpresoj që të jetë e fundit edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Meqenëse i kam “kaluar” afër tani mund të flas më shumë për atë (vdekjen) që për mua dikur ishte një koncept abstrakt. Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe personat që duan të shkojnë në parajsë, në realitet nuk duan të vdesin për të shkuar atje. Por vdekja është destinacioni i fundit, që të gjithë e kemi të përbashkët. Askush nuk i ka shpëtuar. Dhe është kështu siç duhet të jetë, sepse vdekja me të gjitha mundësitë është një nga shpikjet më të mëdha në jetë. Largon të vjetrën për t’i lënë vendin të resë. Koha jonë është e kufizuar, kështu që nuk duhet ta harxhojmë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Nuk duhet absolutisht të jetojmë, duke ndjekur dogmat dhe mendimet e të tjerëve. Nuk duhet të lejojmë që zërat e të tjerëve të na shkatërrojnë zërat tonë të brendshëm. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është se duhet të kemi kurajën për të dëgjuar zemrën dhe intuitën tonë. Në një farë mënyre vetëm ato e dinë se çfarë doni të bëheni vërtet. Gjithë të tjerat janë dytësore. Kur isha i ri ishte një gazetë e çuditshme që quhej “The Whole Earth Catalog”, praktikisht një nga biblat e brezit tim. U krijua nga Stewart Brand në Melon Park dhe Stewart kishte futur brenda saj gjithë frymën e tij poetike. Stewart dhe ekipi i tij publikuan numra të ndryshëm të “The Whole Earth Catalog” dhe kur mbërritën në fund të rrugës së tyre nxorën numrin e fundit. Pak a shumë ishte fundi i viteve ‘70. Në faqen e fundit të atij numri ishte fotografia e një rruge fshati herët në mëngjes, tip i rrugës për të bërë autostop nëse jemi tipa mjaft aventurierë. Poshtë fotos ishin shkruar me të madhe fjalët: “Stay Hungry. Stay Foolish”. Ishte mesazhi i tyre i lamtumirës. “Stay Hungry. Stay Foolish” ia kam uruar gjithmonë vetes dhe tani që po diplomoheni për të ndërtuar një jetë të re po ua uroj edhe juve: “Stay Hungry. Stay Foolish”. Faleminderit të gjithëve.

Testamenti: Jini të çmendur dhe ndiqni zemrën, kështu do të realizoni ëndrrat