Shtyhet sërish takimi mes kryeministrit grek Papadhimos dhe liderëve politikë për finalizimin e Memorandumit të
masave dhe Marrëveshjes së re të kredisë, i cili ishte njoftuar se do të zhvillohej sot në ora 16:00. Negociatat e vazhdueshme me Trojkën janë arsyeja e shtyrjes së takimit, ku Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis duhet të japin një përgjigje për masat e ashpra të kursimit, që janë kusht për kredinë e re prej 130 miliardë Euro. Ata duhet t’i pranojnë ato duke nëkuptuar varfërim të qytetarëve dhe shpëtim të vendit, ose do t'i refuzojnë, duke pranuar falimentimin. Edhe mbrëmë gjatë gjithë natës deri në orën 3 të mëngjesit, kryeministri Papadhimos dhe ministri i financave Venizelos zhvilluan një takim tjetër me Treshen, e cila kërkon reduktim më të madh se 20 % të pagës minimale për të mos shkurtuar pagën e 13 e 14 në sektorin privat, shkurtime të fondeve të sigurimeve shoqërore për pensionet suplementare, dobësimin e marrëveshjeve sektoriale dhe mbylljen apo shkrirjen e organizmave publikë.
"Negociatat me Trojkën për programin e ri vazhdojnë dhe është e qartë se po ushtrohet presion shumë i madh kundrejt vendit, ndaj popullit grek, të cilët ftohen të përballen me një dilemë dramatike dhe akute. Sepse shpëtimi i vendit, qëndrimi në euro, PSI, kredia e re dhe marrja e parave, kërkojnë një kosto të madhe sociale, kërkojnë sakrifica", deklaroi nënkryetari i qeverisë dhe ministër i financave, Venizelos pas përfundimit të takimit.Ndërkaq sic raportojnë mediat, që i referohen zëdhënësit të PASOK-ut, kryeministri Lukas Papadhimos ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme të Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët evropianë operojnë me Planin B, dmth falimentimin e Greqisë. Këtë shënim ai do ta paraqesë në takimin me tre liderët e partive, që mbështesin qeverinë e tij. Reagimet
Në krahun tjetër, Greqia është paralizuar sot, për shkak të grevës 24 orëshe që kanë organizuar sindikatat e sektorit publik dhe privat, në përgjigje të negociatave mes qeverisë dhe trojkës. Sindikatat kanë bërë thirrje gjithashtu për tubime në sheshin “Sintagma”. Në grevë janë përfshirë, nëpunësit shtetërorë, punonjësit nëpër bashki, mësuesit e shkollave fillore, të mesme e pedagogët e Universiteteve, punonjësit e Telekomunikacioneve OTE, inxhinierët, punonjësit e bankave, punëtorët e kantierit detar, zyrtarët gjyqësorë, ndërsa spitalet do punojnë me personel të kufizuar. Edhe sektori privat, nëpërmjet konfederatës së tregtisë, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në grevë, sepse "ndihet si humbës nga dialogu me qeverinë" dhe "do të luftojnë për të garantuar bizneset dhe nivelin e jetesës të popullit grek".
Autobusët, metrotë e tramvajet kanë lëvizur vetëm për të akomoduar punonjës që dëshironin të merrnin pjesë në tubimin dhe organizimin e sindikatave. Në protestën e tyre sindikatat thonë se masat e Trojkës e cojnë në recesion shoqërinë dhe ekonominë greke.
Burimi:Balkanweb


